
Me rastin e 6 vjetorit të shkuarjes në amshim!
Per emrin e profesor Mark Krasniqit kisha mësuar qysh kur isha 10 vjeç, kur mësuesi im i parë Nevzad Jashari për suksesin e shkëlqyeshëm më kishte dhuruar librin «Posta e Porositun»! Sa shumë e deshta ate libër nga i cili mësova për pabesinë e ujkut e të dhelprës, të cilëve nuk duhet zënë besë as kur betohen, sepse edhe betimin e bëjnë për të mashtruar!
Nga «Posta e porositun» mësova
përmendësh emrat shqip të shumë fshatrave e maleve të Kosovës, dhe sa herë që e lexoja këtë libër dhuratë, ëndrra ime ishte që t’i shëtisja këto vende dhe ta takoja autorin Mark Krasniqi, që ai t’ma nënshkruante me dorë të vet librin «Posta e Porositun»
Sikur gjithë fëmijet edhe unë ëndërroja e fantazoja shumëçka! Ëndërroja biles sikur me autorin e librit «Posta e Porositun» bisedoja, i shtroja atij pyetje për ariun, ujkun e dhelprën dhe ai më jepte përgjigje, por, dorën në zemër, që një ditë unë do isha mik dhe një nga bashkëpunëtoret me të afërt të akademik Mark Krasniqit, krahut të djathtë të dr.Ibrahim Rugovës, këtë nuk e kisha ëndërruar!
Jam shumë i lumtur e shumë krenar, që pata fatin ta kem mik dhe të jem bashkëpunëtor e bashkudhëtar i akademik Mark Krasniqit, intelektualit e patriotit të madh shqiptar, që tërë jetën e tij punoi për t’mirën e kombit shqiptar.
LAVDI JETËS DHE VEPRËS SË AKADEMIK MARK KRASNIQIT!